Nderim Mustafa, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet me numrin 65, i cili është njëherësh edhe pjesë e mërgatës nga Zvicra, ka deklaruar se mërgata duhet të sjellet në Kosovë si investitor dhe jo vetëm t’i kërkohet vota.
Ai në emisionin ‘Five’ në RTV Dukagjini tha se ka takuar shumë njerëz nga mërgata që kanë kërkuar të kthehen dhe të investojnë në Kosovë.
“Kam mbi 13 vite që rregullisht kontribuoj dhe rri në Kosovë gjysën e pjesës së muajit. Mërgatën tonë ta sjellim në Kosovë por jo vetëm në kohë zgjedhjesh dhe të kërkojmë vota nga ta. Mërgatën tonë duhet ta mobilizojmë dhe t’i krijojmë kushtet që ata të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre.
Edhe unë jam vetë pjesë e mërgatës dhe e di se sa të rinj dhe të reja kanë dëshirë me ardhë dhe me kontribu në Kosovë. Ne duhet të angazhohemi që në këtë pikë ta shohim diasporën si partner strategjik për vendin tonë“, deklaroi ai.
“Diaspora është shumë emocionalisht e lidhur me Kosovën. Për fat të keq, e kemi një narrativë politike, e cila është përdorur kohët e fundit me thirrje populliste dhe përçarje, linçime, ndaj subjekteve politike që po ndikojnë drejtpërsëdrejti në diasporë dhe të gjithë popullin e Kosovës“, tha më tej Mustafa.
