Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama doli në një komunikim me mediat për të komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me çështjen e Zvërnecit dhe protestat kundër projektit turistik në këtë zonë.
Rama e cilësoi si një zhvillim shumë pozitiv përfundimin e procesit të verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, duke theksuar se është sqaruar plotësisht origjina e fondeve të përdorura për blerjen dhe se investitorët tashmë janë konfirmuar si pronarë të ligjshëm të pronës.
Sipas tij, po aq i rëndësishëm është edhe vendimi i SPAK-ut për të mbajtur të ngrira fondet e transaksionit deri në përfundimin e hetimeve mbi origjinën e pronës. Kryeministri argumentoi se ky veprim garanton një proces të pavarur dhe profesional, duke u dhënë fund spekulimeve dhe pretendimeve të pabazuara.
“Nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do të marrë paratë. Nëse nuk e ka, fondet do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe do të përdoren për ata që provojnë të drejtën e tyre mbi pronën”, deklaroi Rama.
I pyetur për protestat e vazhdueshme para Kryeministrisë dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, Rama u shpreh se nuk ka ndërmend të dialogojë me ata që, sipas tij, kërkojnë largimin e tij nga detyra, por me qytetarët që kanë shqetësime reale për mjedisin dhe zhvillimin e zonës.
Ai i cilësoi organizatorët e protestave si pjesë e një “filmi të vjetër politik”, ndërsa theksoi se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve shqiptarë.
“Unë përfaqësoj vullnetin e mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta”, tha kryeministri.
Akuza për ndikime të jashtme
Gjatë konferencës, Rama ngriti shqetësimin për atë që e quajti “luftë hibride”, duke pretenduar se protesta të tilla mund të nxiten ose të influencohen nga aktorë që kundërshtojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Ai tha se çështjet mjedisore shpesh përdoren si pikë grumbullimi për grupe me interesa të ndryshme, duke shtuar se institucionet shqiptare kanë kapacitete të avancuara për të monitoruar këto fenomene.
Mbrojtja e investimeve turistike
Një pjesë e konsiderueshme e deklaratave të kryeministrit iu kushtua mbrojtjes së investimeve në turizmin elitar. Rama argumentoi se resortet luksoze sjellin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë lokale dhe kombëtare.
Sipas tij, çdo euro e investuar në një resort luksoz gjeneron nga 1.6 deri në 2 euro të tjera në ekonominë përreth, përmes konsumit të produkteve dhe shërbimeve vendase.
Si shembull, ai përmendi Malin e Zi, duke argumentuar se zhvillimi i turizmit me standarde të larta ka ndikuar në rritjen e pagave dhe pensioneve në vendin fqinj.
Komunikimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama
Kryeministri Edi Rama: Besoj që i dëgjuat vendimet e Qeverisë sot. Unë kam dalë për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por ka të bëjë me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë.
Ndërkohë që nga ana tjetër unë e konsideroj po ashtu shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi për të cilin ka një proces hetimor. Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë një rezultat i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi, çdo manipulimi, çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj. Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do marri paratë, në rast se nuk e ka, natyrisht që paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar.
Kështu që këtu merr fund çdo lloj shqetësimi i atyre që janë pretendentë të sinqertë të pronës dhe çdokush tjetër që shfaqet si pretendent me Shqipërinë e shqiptarëve në gojë dhe me kurdisjen e duarve të tjera nga mbrapa mund të vazhdojë të shfaqet, por nuk është më problemi ynë. Nëse ka pyetje jam në dispozicion.
***
– Zoti Rama, një ditë më parë ju i bëtë thirrje protestuesve që të uleshit për dialog dhe të bisedonit, por ata vijuan të protestonin në ditën e tretë përpara zyrës tuaj dhe deklaruan se pa dorëheqje nuk ka dialog. A keni ju një kundërpërgjigje për ta, të cilët kanë lajmëruar serish sot në orën 18:00 një tjetër protestë?
Kryeministri Edi Rama: Dorëheqjen e kujt?
-Tuajën!
Kryeministri Edi Rama: Po, kam një përgjigje. T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë se këtu s’ka asgjë të re. Unë nuk kam kërkuar të bisedoj me asnjë nga ata që për mua janë të kurdisur dhe janë të çartur. Kam kërkuar të bisedoj me ata të cilët kanë votuar për mua, disa prej tyre dhe më kanë shkruar nga protesta e parë. Kam respekt për ta dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë sepse ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër. Kështu që, ai film duhet tu tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga istikami, në thonjëza, ku më kanë vendosur shqiptarët dhe kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos e harrojë që unë përfaqësoj dhe mishëroj vullnetin e të paktën mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta.
Kush flet pastaj ne emër të ndjenjave të vërteta për çfarë mund të ndodhë me mjedisin, për si mund të mbrohet apo si mund të rrezikohet mjedisi është i mirëseardhur të bisedojë me mua dhe me ne. Ata që vijnë me librin e shtëpisë time poshtë dritares këtu, tek selia e PS-së dhe vijnë vërdallë nëpër rrugë si ata çakejtë e Agimit të Artë në Greqi që ulërinin “Greqia është e grekëve”, ata janë subjekt vetëm për Zotin dhe Zoti i faltë se ata nuk dinë çfarë bëjnë dhe s’janë fare subjekt për mua.
-Zoti kryeministër, ne patëm mundësinë të njiheshim me qëndrimin tuaj pas protestës në selinë e PS. Ju përmendet edhe tani ‘’Agimin e Artë’’. Sa të angazhuara kanë qenë institucionet ligjzbatuese shqiptarë për të provuar nëse ka patur ndërhyrje nga shtete të huaj apo vende jo dashamirëse me Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama: Kush nuk ka kuptuar akoma këtë, nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese, por ju e dini, të paktën dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s. Kemi një ndër mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe që do të thotë kemi një pasqyrë shumë të plotë se nga vijnë e ku shkojnë, po natyrisht ky nuk është një territor i terrorit kibernetik, ky është një territor i luftës hibride që zhvillohet, për të cilin kemi dëgjuar nga vende të tjera dhe e cila ka ardhur dhe këtu në vendin tonë. Janë të panumërta burimet e botës demokratike që kanë nxjerrë raporte dhe studime se si forcat kundër Bashkimit Europian, forcat kundër zhvillimit të vendeve që i duan nën sqetull, apo që nuk i duan të forta, organizojnë dhe nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre, duke përdorur në radhë të parë, çështjet e ambientit, sepse tek çështjet e ambientit ka sensibilitet shumë të madh dhe tek çështjet e ambientit ndodh pikërisht ajo gjëja që bashkohen vëllezërit e ‘’Agimit të Artë’’, që orkestrohen nga ‘’ustallarë’’ si ata të ‘’Agimit të Artë’, në emër të Shqipërisë së shqiptarëve, me shqiptarë, vajza, djem , të reja e të rinj, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës të cilët ndihen të lënduar.
Pikërisht këtë dinë këto forca që bëjnë gjëra të tilla, kjo është një luftë hibride po nuk ka fare dyshim që kjo luftë do mbarojë dhe që gjithkush do të marrë atë që i takon dhe mbi të gjitha që Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që ju takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet por natyrisht edhe në aspektin kryesor që është ekonomia, sepse injoranca nuk është asnjëherë argument dhe unë duke qenë se i druhem shumë injorancës time, për shkak se më duhet të flas për shumë fusha për shkak të detyrë, të cilat nuk kam sesi t’i njoh vetvetiu dhe as nuk mund të shkoj pas Berihajit; lexoj shumë, mësoj shumë sepse mbaj përgjegjësi për ato që them dhe nga ana tjetër, duhet të përballem, duhet të përballemi me njerëz që thonë, “po për ça na duhen ne resortet luksoze se ato nuk janë për ne”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë; resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi dhe këto janë shifra, për këto nuk ka nevojë të më dëgjoni mua, madje tani që të rinjtë kanë edhe ‘’ChatGPT’’ apo të tjera platforma të inteligjencës artificiale, mund t’i pyesin dhe t’i thonë: “unë jam një shqiptar që nuk kam të ardhura nga familja ime dhe familja ime nuk i ka të ardhurat për të shkuar në një resort luksoz, pse duhet unë ta pranoj ndërtimin e resortit luksoz”. Dhe do të marrë përgjigjen që resorti luksoz prodhon të ardhura për të, sepse është diçka e studiuar dhe e bazuar në fakte, e nënvijëzuar nga organizatat më serioze ndërkombëtare, që 1 euro që hyn në një resort luksoz, shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi. Se resorti luksoz nuk ndërtohet në hënë, ndërtohet në një realitet rreth të cilit ka njerëz dhe është një realitet ku vijnë njerëz, të cilët konsumojnë produktet rreth e rrotull, të cilët shfrytëzojnë shërbimet rreth e rrotull dhe të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit sepse rritja e të gjithë zinxhirit ekonomik, sjell dhe rritjen e të ardhurave për shtetin. Dhe nga ato të ardhura shteti paguan paga dhe pensionet dhe nuk ka nevojë për të qenë shkencëtarë, as për të studiuar inxhinieri mjedisore apo për të studiuar makroekonomi, mjafton të shikojnë Malin e Zi. Dhe pyetja është shumë e thjeshtë. Mali i Zi nuk prodhon raketa, Mali i Zi nuk prodhon makina, Mali i Zi nuk ka ndonjë sektor aq të suksesshëm të teknologjisë digjitale si vendet e tjera. Ça prodhon Mali i Zi? Cili është motori më i madh ekonomik i Malit të Zi? Turizmi! Atëherë si shpjegohet që në Mal të Zi prej kohësh pagat janë më të lartat në rajon me diferencë të madhe. Ne kemi filluar tani që t’i afrohemi Malit të Zi se kemi qenë m’ysybet në raport me Malin e ZI. Si shpjegohet që pensionet në Malin e Zi janë në një nivel tjetër? Përgjigjja është shumë e thjeshtë; resortet luksoze. Kaq e thjeshtë është. Kështu që nuk kam asnjë dilemë unë për këtë dhe nuk kam asnjë arsye që të mendoj se me vetëdijen time, Shqipërisë i duhet hequr qafe ky projekt.
– Kisha dy pyetje zoti kryeministër, e para ju thatë që jeni kryeministër i votuar nga shqiptarët, patjetër. Po besoj dhe qytetarët që protestojnë në bulevardin pas krahëve tonë dhe ato janë qytetarë shqiptarë. Si kryeministër, besoj që një pjesë e të mirë të qytetarëve keni detyrimin t’i thoni se kush po i shtyn këto qytetarë që të protestojnë, meqë ju thoni që ka forca të errëta apo persona të tjerë mbrapa që i shtyjnë. Dhe pyetja e dytë përveç kërkesës për dorëheqje dhe thirrjes për dorëheqje ka nga protestuesit, është artikuluar dhe fjala “burg”. Nëse ju do të ishit në kushtet midis burgut dhe dorëheqjes, do të jepnit dorëheqje për të shmangur këtë të fundit?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk do të përgjigjem, sepse po të përgjigjem do konsiderohem si njeri që nuk respekton mediat. Kështu nuk kam përgjigje unë për këtë pyetje sepse kjo pyetje, nuk është pyetje fare. Kësaj pyetje i mungon çdo lloj etike.
Ndërsa për sa më takon, unë e di shumë mirë që ata që vijnë protestojnë janë shqiptarë dhe unë nuk u përgjigja ndaj shqiptarëve që vijnë protestojnë, u përgjigja ndaj atyre që thonë: “ne duam dorëheqjen pa kushte”, duke thënë që unë nuk kam fare ftesë për ta. Nuk janë ata që kam ftuar unë se unë e di se cilët janë ata. Unë e di se si funksionojnë ata dhe ata janë pjesë e manipulatorëve.
Ndërkohë unë e kam me ata që janë pjesë e asaj turme ose atij grupi në bulevard që nuk kanë lidhje me këta të parët, që nuk dalin në bulevard për të kërkuar dorëheqjen time. Përsa i përket burgut, kjo është një temë që meriton vetëm një koment nga ana ime. Koha kur njerëzve u tregohej burgu nëpër rrugë, është një kohë të cilën e kemi lënë shumë pas dhe unë jam njeriu që me krenari kam udhëhequr betejën më të madhe historike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët njësoj, duke i hapur rrugë Reformës në Drejtësi, duke i dhënë në jetë një strukture e cila është tërësisht e pavarur nga unë dhe e cila bën punën në shërbim të drejtësisë.
Kështu që janë gjëra tërësisht të ndara dhe kjo është prapë pjesë e spekulimeve dhe e manipulimeve, po unë kam parë shumë nga këto dhe këto s’më bëjnë përshtypje fare. Janë film shumë i vjetër që ka gjithmonë të njëjtin fund dhe ajo që më vjen keq me ata që vazhdojnë i shkojnë nga mbrapa atyre “honxho-bonxhove” të tjerë që janë që janë “nëndritarësit” profesionistë të Shqipërisë është që janë njësoj si ata që shkojnë te i njëjti film dhe mezi presin që fundi të jetë ndryshe dhe që personazhi i tyre të triumfojë. Nuk ndodh kjo! Është një film me fund që e kanë parë të gjithë! Faleminderit!
(Marrë nga Argumentum.al)
