albanewskk

albanews

E vërteta në fokus

Mali i Zi mbyll edhe dy kapituj në negociatat e anëtarësimit me BE-në, Brukseli vlerëson progresin
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht Kapitullin 2 (Liria e lëvizjes së punëtorëve) dhe Kapitullin 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit), që bëjnë pjesë në Klasterin 2, në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu. Komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se Mali i Zi po përparon “me shpejtësi të madhe”, duke theksuar se mbyllja e dy kapitujve paraqet përfitime konkrete të procesit të integrimit evropian. “Komisioni Evropian dëshiron të mundësojë një paketë financiare për Malin e Zi javën e ardhshme. Tani po flasim për reformat e ardhshme. Të gjithë aktorët politikë duhet të vazhdojnë të kontribuojnë në procesin e reformave”, tha Kos. “BE-ja tashmë po përgatit vendin e Malit të Zi në BE. Ne po përgatitemi”, shtoi ajo. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, tha se vendi mbetet i përkushtuar për përfundimin e procesit të negociatave dhe se deri në fund të vitit do të mbyllen të gjithë kapitujt, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. “Mali i Zi ka mbyllur gjysmën e kapitujve të negociatave të anëtarësimit me BE-në, ndërsa deri në fund të vitit do të mbyllim edhe pjesën e mbetur”, tha Spajiq. Ai theksoi se çdo kapitull i mbyllur është dëshmi se procesi i zgjerimit funksionon kur ekzistojnë vullneti politik dhe kapaciteti reformues. “Mali i Zi nuk vonon dhe nuk improvizon, por jep rezultate”, tha Spajiq, duke shtuar se integrimi evropian përfaqëson një “projekt brezash” dhe rrugë drejt sigurisë dhe prosperitetit më të madh për qytetarët. Ai veçoi rëndësinë e kapitujve të mbyllur, duke thënë se Kapitulli 2 u mundëson qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe të punës në BE, ndërsa Kapitulli 28 forcon mbrojtjen e konsumatorëve dhe standardet e tregut. Ai theksoi se Mali i Zi tani ka mbyllur përkohësisht tre nga katër kapitujt që kanë të bëjnë me liritë themelore të BE-së, si dhe shtatë nga dhjetë kapitujt në kuadër të Klasterit 2. Spajiq shtoi se mbyllja e kapitujve nuk nënkupton fundin e reformave, por konfirmimin e progresit, duke u bërë thirrje deputetëve të mbështesin ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e agjendës evropiane. Mali i Zi i hapi negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2012, duke u bërë vendi i parë i rajonit që nisi procesin e anëtarësimit sipas metodologjisë së re të BE-së.