Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë sot në hapjen e Skopje Security Forum 2026, me temë “Architects of Stability: The Security Identity of the Western Balkans”, organizuar nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe Universiteti i Tetovës.
Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se siguria dhe stabiliteti i rajonit nuk mund të konsiderohen të mirëqena, por kërkojnë investim të vazhdueshëm në institucione demokratike, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim rajonal.
Ai nënvizoi se integrimi evropian mbetet orientimi strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një nga garancitë më të forta për stabilitet afatgjatë, siguri dhe prosperitet.
“Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i sigurt kontribuon drejtpërdrejt në një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar. Sfidat e sotme – nga kërcënimet hibride dhe dezinformimi, deri te siguria energjetike dhe transformimi teknologjik – kërkojnë përgjigje të përbashkëta dhe bashkëpunim më të thellë rajonal,” deklaroi Sali.
Gjatë forumit u diskutua për identitetin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, sfidat gjeopolitike, ndikimin e fuqive globale, kërcënimet hibride, reziliencën institucionale dhe rolin e rajonit në arkitekturën evropiane të sigurisë.
Ministri Sali shprehu mirënjohje për organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke theksuar se dialogu, partneriteti dhe shkëmbimi i ekspertizës mbeten elementë kyç për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më stabile për rajonin.
