albanewskk

albanews

E vërteta në fokus

Pas 27 vitesh, identifikohet Idriz Rrecaj – një nga 23 viktimat e “Grupit të Intelektualëve”
Pas 27 vitesh pritjeje, dhimbjeje dhe pasigurie, familja Rrecaj ka marrë përgjigjen e shumëpritur për fatin e Idriz Rrecajt, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Identifikimi i tij është konfirmuar zyrtarisht përmes analizave të ADN-së në laboratorin e Hagës, pas gjetjes së mbetjeve mortore në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Lajmi është bërë i ditur nga djali i tij, Shpëtim Rrecaj, i cili përmes një postimi ka treguar se pas 27 vitesh familja më në fund ka marrë përgjigjen për pyetjen që i ka shoqëruar për kaq gjatë: “Ku është Idriz Rrecaj?”. “Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, ka shkruar Rrecaj. Idriz Rrecaj është njëri nga tre personat, identiteti i të cilëve është konfirmuar pas zhvarrosjeve në Kalludër dhe Jabukë. Sipas raportimeve, viktimat i përkasin të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Për familjen Rrecaj, konfirmimi i identitetit shënon fundin e një pritjeje 27-vjeçare, por njëkohësisht rikthen dhimbjen e humbjes dhe kujtimet për një periudhë të rëndë të luftës në Kosovë. Familja ka shprehur mirënjohje për institucionet e Kosovës dhe të gjithë ata që ndër vite kanë punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. “Gjaku nuk humb kurrë!”, ka shkruar Shpëtim Rrecaj. Idriz Rrecaj ishte në mesin e 23 burrave që u zhdukën në prill të vitit 1999. (Telegrafi)