Arrestohet në SHBA Sokol Hoxha, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve dhe ekzekutimin e gruas pasi refuzoi prostitucionin, si i shpëtoi drejtësisë për 30 vite

Published on

Ka marrë fund arratia e një prej shqiptarëve më të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Pas gati tre dekadash në kërkim, Sokol Hoxha është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përfundim të një operacioni të koordinuar mes agjencive amerikane dhe partnerëve europianë të zbatimit të ligjit.

Sipas agjencive federale amerikane, arrestimi i Hoxhës u krye më 5 maj 2026 në Ohajo, nga Ekipi për Kapjen e të Arratisurve i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, në bashkëpunim me agjentët e emigracionit dhe strukturat ndërkombëtare të INTERPOL-it. Ai u vu në pranga për shkelje të ligjeve të emigracionit, ndërsa rezultonte prej vitesh në kërkim ndërkombëtar për disa vrasje të rënda të kryera në Shqipëri dhe Belgjikë.

51-vjeçari shqiptar ishte subjekt i një “Red Notice” të INTERPOL-it, të lëshuar nga autoritetet belge për dënimin në mungesë lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997. Paralelisht, autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, krim i ndodhur në mars të po atij viti. Për këto ngjarje, Hoxha ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg nga drejtësia shqiptare.

Burime hetimore bëjnë me dije se pas krimeve të kryera në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë, ku dyshohet se u përfshi në rrjete prostitucioni. Pikërisht aty ndodhi edhe vrasja e Brunilda Dervishit, një ngjarje që sipas hetimeve lidhej me konfliktet mes tyre dhe kundërshtimin e së resë për t’u shfrytëzuar nga Hoxha. Gruaja u ekzekutua në një lokal në Bruksel, ndërsa autori u zhduk menjëherë pas krimit.

Hetimet shumëvjeçare zbuluan se i shumëkërkuari kishte ndërtuar një identitet të ri për t’i shpëtuar drejtësisë. Fillimisht ai dyshohet se përdori dokumente të falsifikuara kosovare për të përfituar leje qëndrimi në Britaninë e Madhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Më pas, për t’iu shmangur identifikimit, u transferua në SHBA, ku arriti të siguronte status rezidenti të përhershëm duke fshehur identitetin e tij real.

Sipas autoriteteve amerikane, hetimi për lokalizimin dhe identifikimin e Hoxhës zgjati gjashtë vite dhe u drejtua nga INTERPOL Washington, në koordinim me një sërë agjencish ligjzbatuese në SHBA, Belgjikë, Britani dhe Shqipëri. Hetuesit arritën të konfirmonin identitetin e tij përmes gjurmëve të gishtërinjve, fotografive të vjetra dhe dokumenteve të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë.

Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë në Shqipëri kishte depozituar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e tij drejt SHBA-së, ndërsa hetimet u intensifikuan në vitet pasuese. Në një moment, autoritetet britanike ndaluan gabimisht një person tjetër me të njëjtin emër, por pas verifikimeve të INTERPOL-it rezultoi se nuk bëhej fjalë për të shumëkërkuarin.

Autoritetet amerikane po shqyrtojnë tashmë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ose Belgjikës, ku pritet të përballet me drejtësinë për akuzat dhe dënimet e dhëna ndaj tij.

Zëri i lajmit

“Pse më sheh?” I nguli thikën në gjoks moshatarit të tij, blutë e Sarandës gjejnë tapë në alkool kuksianin dhe e arrestojnë

Është vënë në pranga ditën e sotme shtetasi Ylber Hamzaj i cili pas një...

Vizitë në Pallatin Aleksandër, ish-pallati i kontit Móric Sándor, i njohur si “Kalorësi djall”

Këtë herë, më lejoni të shkruaj jo për banorin e përkohshëm të Pallatit Aleksandër,...

Ndërron jetë stomatologu i njohur nga Tetova Bedajet Rustemi, një ndër stomatologët e parë në vend

Ka ndërruar jetë stomatologu i njohur nga Tetova, Bedajet Rustemi, një ndër stomatologët e...

Rrezik në hotelin “Desaret” në Peshtan, banorët dhe aktivistët kërkojnë reagim urgjent për çatinë e dëmtuar

Aktivistët e Nismës Qytetare “Ohrid SOS” bëjnë të ditur se banorë të Peshtan këto...